“PS zvarrit vendimin e kushtetueses për tubimet”, Vasili: Rilindjes i intereson të mbajë qytetarët nën kërcënim

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili është shprehur se Kuvendi i Shqiperisë nuk zbaton as Vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një postimi n rrjetin e tij social Facebook Vasili bën me dije se Gjykata Kushtetuese shfuqizoi në Kodin Penal ndalimin për zhvillimin e protestave pa lejen e policisë, por këtë vendim sipas tij PS e zvarrit dhe e bllokon qëllimisht.

Sipas Vasilit kjo ju intereson atyre pasi duan të mbajnë qytetarët nën kërcënim, ti mbajë me procese të hapura me qëllimin e vetëm për të dekurajuar protestat e qytetarëve

Postimi I plotë:

Kulmi i antiligjit, Kuvendi i Shqiperisë bllokon Vendimin e Kushtetueses për Tubimet!

Kuvendi i Shqiperisë në mënyrë banditeske arrin deri aty sa nuk zbaton as Vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtuese ka vendosur ndryshimin e Kodit Penal për tubimet, që dënon padrejtesisht qytetarët!

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi në Kodin Penal ndalimin për zhvillimin e protestave pa lejen e policisë.

Ky Vendim i Gjykates Kushtetuese duhej të ishte zbatuar që në dhjetor të vitit 2021.

Kemi depozituar në Kuvendin e Shqiperisë që në 18 mars Projektligjin për ndryshimet në Kodin Penal për Tubimet ashtu siç urdhëron Gjykata Kushtetuese, me firmat e Monika Kryemadhit, Petrit Vasilit dhe Erisa Xhixhos.

Por këtë Vendim Rilindja në Kuvendin e Shqiperisë e zvarrit dhe e bllokon qëllimisht në dhunim hapur të Kushtetutes dhe ligjit.

I kam kërkuar publikisht edhe Kryetares së Kuvendit L.Nikolla, që të bejë detyrën dhe të imponojë shqyrtimin dhe miratimin urgjent në seancë plenare të ndryshimeve të Kodit, por ajo duke ju bindur vetëm urdherave politike të Rilindjes nuk ka bërë asgjë.

Rilindjes i intereson të mbajë qytetarët nën kërcënim, ti mbajë me procese të hapura me qëllimin e vetëm për të dekurajuar protestat e qytetarëve kur atyre ju dhunohen të drejtat e ju rrëmbehet prona dhe liria nga rilindja.

Sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetutese është i detyrueshëm reflektimi në Kodin Penal në nenin 262, paragrafi i parë dhe shfuqizimi i shprehjes ” pa marrë më parë lejen nga organi kompeten sipas dispozitave të veçanta”

Ja Vendimi i Gjykates Kushtetuese i dates 4 maj 2021:

VENDOSI:

Pranimin e kërkesës.

Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.

Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Marrë më 04.05.2021

Shpallur më 02.06.2021

Rilindasit ne Kuvend, qe ulerasin plot histeri per dashurine e tyre per Reformen ne Drejtesi nuk zbatojne as Vendimet e Gjykates Kushtetuese sepse ashtu i urdheton per turpin e tij Edi Rama.