Mediu: Kina përben rrezik sa Rusia, Ekspertët e sigurisë: Të sanksionohen kompanitë teknologjike kineze
Mbajtja e Rusisë si përgjegjëse e agresionit në Ukrainë është tashmë një fakt i gjithë pranuar, zyrtarë dhe ish- funksionarë të NATO-s, forcave amerikane dhe politikanësh evropianë thonë se vëmendja aktuale duhet të jetë te hegjemonia kineze.
Dënimi i agresionit dhe krimet e Rusisë në Ukrainë janë theksuar nga të gjithë folësit në forumin “Lufta në Ukrainë dhe ristrukturimi i Sigurisë Globale”.
Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin për krijimin e një poli kundër SHBA dhe BE nga ana e Rusisë dhe Kinës, si një pol i qeverive autoritare kundër demokracisë.
Samiti i NATO-s në Madrid, sipas tyre, duhet të ndërmarrë veprime drastike në marrëdhëniet ekonomike-ushtarake dhe teknologjike me Kinën, duke e parë si një kërcënim për Aleancën e Nato-s dhe Sigurinë.
Të pranishmit kërkuan që të vendosen sanksione ndaj të gjitha kompanive kineze nga vendet anëtare të NATO.
Republikani Fatmir Mediu, i cili merr pjese në cilësinë e anëtarit të Komitetit Organizativ të këtij forumi, theksoi rëndësinë e rezistencës së Ukrainës në përballje me agresionin Rus.
“Ukraina jo vetëm po mbron lirinë dhe sovranitetin e vet, por njëkohësisht po mbron vlerat dhe sigurinë Europiane, çdo humbje në Ukrainë është humbje për Aleancën dhe veçanërisht sigurinë Evropiane.”
Shqetësues përtej konflikteve dhe ndasive historike për popujt e Ballkanit është edhe penetrimi i Rusisë dhe Kinës në vendet ballkanike.
Zhvillimet ushtarake në Serbi, problemet me Bosnjën, mosvijimësia e dialogut Serbi-Kosovë, problemet etnike dhe ndarja fetare në Mal të Zi, frenimi i BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë konsiderohen probleme reale dhe jo thjesht të Rajonit, apo Be, por të NATO-s.
Pjesë e këtij forumi ishin personalitete te politikës Amerikane si ish komandanti supreme i NATO-s dhe më pas këshilltari për sigurinë i presidentit Obama, gjenerali Jim Jones, senatorja Baldëin, Kryeministri Rumun, drejtues të Senatit dhe parlamentit rumun, përfaqësues të Ukrainës dhe Europës.

