U qëllua me armë zjarri, vdes ish kryeministri jetëgjatë japonez

Ish kryeministri japonez i qëlluar mbrëmjen e djeshme me armë zjarri ka humbur jetën ditën e sotme për shkak të plagëve të marra.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Zemra e ish-kryeministrit Shinzo Abe pushoi së rrahuri vetëm disa orë pasi u qëllua me armë zjarri në mes të një tubimi politik në kuadër të fushatës së ardhshme parlamentare të Japonisë.

67-vjeçari u dërgua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore pasi një person i armatosur rreth të 40-ve e plagosi atë gjatë një daljeje publike në qytetin Nara në perëndim të Japonisë, në përpjekje për të kërkuar një mandat për zgjedhjet e radhës.

Dëshmitarët okularë thanë se personi i armatosur e qëlloi konservatorin nga mbrapa me dy goditje të forta përpara se ish-kryeministri të rrëzohej në podiumin e tubimit politik.

Ngjarjet me armë zjarri në Japoni janë shumë të rralla për shkak se ato janë të ndaluara rreptësisht.

Kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, Abe dha dorëheqjen në vitin 2020 për shkak të problemeve shëndetësore, por mbeti një figurë politike me ndikim në Parinë Liberal Demokratike.

Ai ka shërbyer si kreu i qeverisë në vitin 2006, për t’u rikthyer sërish në vitin 2012, kur qëndroi në pushtet deri në vitin 2020.

Konservatori ka qenë i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj mbrojtjes dhe politikës së jashtme japoneze, ku ka kërkuar që Tokio të hiqte dorë nga qëndrimi pacifist i pasluftës, me qëllim armatosjen e shtetit monarkik.

Iniciativat e tij kanë prodhuar incidente armiqësore me Kinën dhe Korenë e Veriut.

Megjithatë ai mbahet mend si kryeministri i pa-sfidueshëm edhe pas disa skandaleve dhe kritikave gjatë udhëheqjes së tij.