Nuk ka ‘fjalë të lirë’ në Twitter, Elon Musk heq dorë nga iniciativa për blerjen e platformës

Një marrëveshje e dështuar mes Elon Musk dhe Twitter mund ta çojë platformën e medieve sociale në faliment. Multimiliarderi hoqi dorë nga blerja e kompanisë pasi pretendon se Twitter dështoi të tregonte numrin e saktë të llogarive false.

Themeluesi i Teslas dhe Space X, Elon Musk ka anuluar marrëveshjen e nënshkruar më herët prej 44 miliardë dollarësh për të blerë platformën Twitter, duke akuzuar kompaninë e medieve sociale për disa shkelje.

Sipas marrëveshjes së 25 prillit, Twitter duhet t’i siguronte biznesmenit të dhënat që ai kërkoi, në mënyrë që të bënte një vlerësim të pavarur të llogarive false në platformën Twitter,  thuhej në letrën dërguar kompanisë nga avokatët e tij.

Elon Musk tha se kthimi i përgjigjes nga kompania do të vlente për të planifikuar blerjen e Twitter, por sipas tij platforma e medieve sociale dështoi ta bënte.

Sipas letrës, kompania ose i injoroi kërkesat e tij, i refuzoi ato për arsye që duken të pajustifikuara, ose pretendoi se po i jepte Musk informacion jo të plotë ose të padobishëm.

Prodhuesi i anijeve kozmike dhe makinave elektrike zbuloi fillimisht një blerje të madhe të aksioneve të Twitter në fillim të prillit dhe më pas propozoi blerjen e plotë të platformës.

Bordi i kompanisë fillimisht përdori mekanizma për të mos e lënë Twitter të binte në duart e Musk, por më pas u dorëzua në 25 prill duke pranuar ofertën e 51-vjeçarit.

Nga mesi i majit, megjithatë, marrëveshja ishte në pritje pasi Musk kishte dyshime për vlerësimin zyrtar të Twitter se vetëm 5% e 230 milionë përdoruesve të tij ditorë ishin llogari false.

Letra nga avokatët e tij pretendon se numri aktual është shumë herë më i lartë dhe se kjo ka ndikim në fund, pasi afërsisht 90% e të ardhurave të Twitter vijnë nga reklamat.

Musk kishte ofruar të blinte Twitter me 54.20 dollarë për aksion. Aksionet e kompanisë po tregtoheshin rreth 37 dollarë të Premten, duke rënë nën 34 dollarë pas njoftimit se Musk kishte hequr dorë nga sipërmarrja.