Zjarri në “Ali Dem”, humb jetën djali 6 muajsh, jetonte më gjyshen dhe nënën, policia nis hetimet
Një foshnje 6 muajshe vdiq mbrëmë nga flakët që përfshinë banesën ku ai ndodhej bashkë me gjyshen. Ngjarja tronditëse ndodhi në mesnate në zonën e ‘Ali Demit’. Ekipet zjarrfikëse kane arritur ta nxjerrin te gjalle të miturin por ai nuk mundi të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spital.
Ky është momenti ku forcat zjarrfikëse nxjerrin nga banesa foshnjën 6 muajshe ku pas mesnatë shtëpia u përfshi nga flakët.
I mituri ishte brenda banesës së bashku me gjyshen e tij, ndërsa e ëma nuk ndodhej aty.
Në momentin që zjarri ka rënë e moshuara Janulla Lilaj së bashkë më nipin e saj ndodheshin në bodrumin e banesës.
Sapo zjarri ka rënë si pasojë e rrjedhjes së gazit, gjyshja doli shpejt për të kërkuar ndihmë nga fqinjët.
Zjarrfikësit mbërritën shpejt, në vendin e ngjarjes por ka qenë i pamundur depërtimi në hyrjen e shtëpisë. Për këtë arsye ata kanë çarë murin e përmes tunelit kane nxjerrë të voglin jashtë.
Djali 6 mujash doli gjallë nga banesa por humbi jetën në pediatri nga asfiksimi. Sipas fqinjëve në momentin që ka rënë zjarri në shtëpi, nëna e foshnjes kishte dalë për të pirë kafe.
Ajo tha se foshnja që ishte brenda qante, ndërkohë gjyshja për një moment kishte harruar se djali i të bijës ndodhej në banesë.
Fqinja: Kishin 20-30 vite këtu. Janë njerëz të mirë të urtë. E moshuara jetonte me gocën që kishte fëmijën 6 muajsh. Goca ishte e divorcuar. Jetonin në kushte siç jetojnë gjithë shqiptarët. Fillimisht erdhi policia. Goca deshi të futej brenda por ishte e pamundur. Janulla (gjyshja) tha kam qenin, e harroi djalin. Pastaj tha ua kam foshnjën. Bërtiti. Nëna e fëmijës kishte dalë me pi kafe. I kishte thënë të ëmës që t’I mbante foshnjën. Ishte tym I madh. Zjarrfikësja erdhi shpejt, por kur e kanë nxjerrë polici foshnjën po qante. E mori nipi im e futi në ambulancë, fëmija ishte gjallë. I vunë aparatet, por kishte vdekur në spital.
Grupi hetimor i është rikthyer vendit të ngjarjes. Deri më tani dyshimet janë së ka pasur rrjedhje gazi, por nuk përjashtohet edhe mundësia të një shkëndije elektrike pasi edhe banesa në dukje ishte e amortizuar.

