Mori kompetencat e KLP-së/Gjykata e Lartë rrëzon vendimin e Rilinda Selimit, padia e prokurores Domi do rigjykohet në Apel
Gjykata e Lartë, ka vendosur të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, që nxirrte “nul” emërimin përmes pikëzimit në SPAK të dy prokurorëve Elvin Gokaj dhe Alfred Shehu.
Treshja gjykuese e përbërë nga Sokol Sadushi, Sokol Ngresi dhe G.Medja, e kanë konsideruar vendimin e gjyqtares së Apelit Administrativ, Rilinda Selimi, si një vendim të marrë haptazi në kundërshtim me ligjin procedurial.
Vendimi mjaft i diskutueshëm, i marrë në datën 24 Maj 2022 nga Selimi dhe Blerona Hasa, solli një përshtjellim në radhët e Strukturës së Posaçme SPAK, duke cënuar procedurën e emërimit të Elvin Gokaj dhe Alfred Shehut.
Padia ishte depozituar nga prokurorja e Tiranës, Sonila Muhametaj (Domi), e cila ishte pjesëmarrëse në garën e KLP-së për të qenë pjesë e strukturës së SPAK. Muhametaj, nuk mundi të fitojë garën përballë dy kandidaturave të tjera, dhe për pasojë ju drejtua Gjykatës Administrative të Apelit, ku kërkonte nxjerrjen e pavlefshme të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Dy gjyqtaret Rilinda Selimi dhe Blerona Hasa, vendosën të pranojnë pjesërisht kërkesën e Sonila Muhametaj, duke rrëzuar disa nga vendimet e KLP-së.
Por juristët e këtij institucioni, ju drejtuan me një ankim Gjykatës së Lartë, dhe nisur nga kjo situatë, ditën e sotme kolegji administrative i kësaj gjykate vendosi të prishë vendimin e Rilinda Selimit dhe të kthejë çështjen për rigjykim në Apelin Administrativ me një trupë tjetër gjykuese.
Njëherësh Gjykata e Lartë, ka vendosur të pushojë dhe kërkesën për pezullimin e vendimit të emërimit të dy prokurorëve Shehu dhe Gokaj në SPAK.
Gjykata e Lartë, e ka cilësuar vendimin administrative si një vendim që kapërcen kompetencat, duke marrë atributet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për sa i përket mënyrës së pikëzimit dhe emërimit të dy prokurorëve që aktualisht ushtrojnë funksionin e tyre në SPAK.
