Harta e re gjyqësore/ Haxhia kërkon ndjekje disiplinore për avokatët që thyen bojkotin: I kam me emra

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, ka bërë me dije se do të kërkojë ndjekje disiplinore për avokatët që kanë thyer bojkotin.

Këtë e tha në një deklaratë për mediat, ku u shpreh se avokatët që kanë vendosur t’i japin fund bojkotit dhe kanë marrë pjesë në seanca, i ka me emra konkretë

“I kam bërë prezent me emra konkret avokatët, me çështje konkrete, ditë dhe orë konkrete që ata kanë marrë pjesë në këto seanca në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm. Lidhur me këto, sot unë kam bërë përcjelljet e këtyre materialeve për fillimin e  procedimit disiplinor në Komunitetin disiplinor. “

Prej javësh, avokatët në të gjithë vendin kanë bojkotuar seancat gjyqësore, pasi kundërshtojnë ndryshimet e bëra në hartën gjyqësore.

Më herët, Haxhia kishte paralajmëruar se do të merreshin masa për avokatët që nuk do të bëheshin pjesë e bojkotit.