Berisha: Nesër protestë epike, të ngrihemi t’i themi autokratit se kohërat i ka të numëruara
Në një takim me disa persona nga shoqëria civile, kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se protesta e nesërme më 7 korrik do të jetë epike.
Ai tha se kjo është protestë e një rëndësie jetike për Shqipërinë, pasi Edi Rama dhe ekipi i tij abuzon me liritë, me financat, me qenien, me dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.
Ai shtoi se populli duhet të vendosë të reagojë dhe të heqë dorë nga pasiviteti dhe duhet të ngrihet për t’i thënë autokratit Rama se kohërat i ke të numëruara.
Berisha: Ky është edhe një mesazh-thirrje për të gjithë shqiptarët, të bashkohen me këto kauza të drejta. Kauza, të cilat kanë një emërues të përbashkët, mbrojtjen e lirive të shqiptarëve. Është një nderim dhe homazh gjithashtu për të gjithë ata që nesër do mbushin bulevardin në një protestë epike, do thosha unë, në një protestë të një rëndësie jetike për Shqipërinë, pasi siç del çdo orë dhe çdo ditë, Edi Rama dhe ekipi i tij abuzon me liritë, me financat, me qenien, me dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. Temperaturat janë të larta, por më e lartë është edhe urrejtja popullore për këtë dhunues të kauzave të lirive. Gjithçka lidhet me liritë e qytetarëve shqiptarë.
Entuziazmi është shumë i madh, pakënaqësia është e pakufishme. Le të bëjmë gjithçka për të protestuar protestën tonë në një magnet për shoqërinë e heshtur shqiptare. Për atë shoqëri që ndjek me dëshpërim të madh këto zhvillime, por që duhet të vendosë të reagojë dhe të heqë dorë nga pasiviteti. Duhet të ngrihemi për t’i thënë këtij autokrati se kohërat i ke të numëruara. Ne do të ecim të pandalshëm në këtë rrugë, sepse kjo qeveri nuk e meriton të jetë në pushtet as edhe një ditë të vetme.

