Vendoset një Post Kufitare e Lëvizshme në brigjet shqiptare, Çuçi shpjegon lehtësitë për turistët
Të huajt që mbërrijnë në vendin tonë me mjete lundruese, por edhe shqiptarët që do të kërkojnë të dalin në detin Mesdhe nuk do të kenë më të domosdoshme kalimin përmes porteve.
Ministri i brendshëm Bledi Çuçi ka deklaruar se në brigjet shqiptare do të vendoset një Post Kufitare e Lëvizshme pikërisht për lehtësimin e këtyre lëvizjeve
“Ne do të vendosim në brigjet shqiptare një Post Kufitare Lëvizëse në mënyrë që çdo mjet lundrues që do të hyjë në Shqipëri nuk ka nevojë të shkojë në një nga 3 portet kufitare që ka Shqipëria, por mjafton të lajmërojë në pikën ku është dhe do të vijë vetë mjeti i kufirit për të kryer të gjithë procedurat e hyrjes në territorin e Shqipërisë.”
Deklaratën ai e ka bërë në ceremoninë e dorëzimit të 5 varkave të reja të patrullimit dhe 2 pajisjeve të survejimit me teknologji të lartë për ruajtjen e kufirit, të financuara nga Bashkimi Europian përmes programit IPA.
Për ta ilustruar këtë nismë ai solli në vëmendje ishullin grek Othonoi për personat që do duan të vizitojnë Dhërmiun
“Imagjinoni përballë Drimadhes, një plazh në Dhërmi shumë i populluar, ndodhet ishulli i Othonit dhe një njeri që do të vijë nga Othonoi edhe për të shijuar një drekë në Drimadhes ku largësia me një mjet motorik normal nuk është më shumë se 30-40 minuta, detyrohet të shkojë në Sarandë, të merrte vulën e hyrjes në Shqipëri dhe pastaj të vinte në Drimadhes. Të hante drekën dhe pastaj të shkonte sërish në Sarandë që të kthehej në Othonoi."
Lidhur me shtimin e 5 mjeteve të reja në flotën e Policisë Kufitare dhe riparimin e plotë të 7 të tjerave, si dhe instalimi i 2 radarëve për mbikëqyrjen e kufirit blu, ministri theksoi se ky është një hap më tej në sigurinë e kufijve.


