Shitet në Londër pallati i megaskandalit financiar që tronditi Vatikanin
186 milionë stërlina është vlera e përfituar nga Administrata e Pasurisë së Vatikanit, Departamenti i Menaxhmit të pronave, pas shitjes së pallatit në Sloane Avenue të Londrës, ndërtesë e përshirë në megaskandalin financiar që tronditi Selinë e Shenjtë e ndaj të cilit ka nisur një proces gjyqësor i paprecedent, që për të herë të parë në historinë e Vatikanit, ka vënë nën gjykimin laik, një kardinal.
Ish-prefekti i Kongregacionit të Çështjeve të Shenjta, Kardinali Angelo Becciu, që për tetë vite radhazi ka qenë një nga njerëzit e fuqishëm në drejtimin e Selisë së Shenjtë, akuzohet për abuzim me detyrën, korrupsion, përvetësim e manipulim kundrejt ryshfetit.
E në qëndër të akuzës është blerja e kësaj ndërtese luksoze në Sloane Avenure, numër 60, në Londër me një vlerë rrreth 350 milionë euro.
Çmimi i shitjes sot për 186 milionë sterlina është padyshim humbës kundrejt vlerës që Thesari i Selisë së Shenjtë ka shpenzuar për blerjen e kësaj ndërtese.
Departamenti i Menxhimit të Pronave të Selisë së Shenjtë në një notë publike ka informuar se humbjet e konstatuara nga ky operacion shitje kundrejt vlerës fillestare të shpenzimeve për blerjen e këtij pallati, janë vënë nën ngarkim të rezervave të Sekretarisë së Shtetit e nuk prekin aspak pilastrët e Shën Pjetros e donacionet e besimtarëve ndaj Vatikanit.
Për shitjen e këtij pallati është përdorur një kompani ndërmjetëse kundrejt një transparence të plotë që ka seleksionuar fillimisht 16 blerës e më pas 3 duke përzgjedhur së fundmi ofertën e fundit. Gjithçka është monitoruar nga këshilltarët e hetimit të pasurive të paluajtshme.
Megaskandali financiar ka vënë nën hetim kardinalin 73-vjeçar si dhe 9 persona të tjerë, drejtues të Autoritetit të Antoriciklimit në Vatikan e punonjës të Sekretarisë së Selisë së Shenjtë, por dhe sipërmarrës e persona të botës së tregjeve financiare botërore.
Hetimet nisën në vitin 2019 pas denoncimeve të kryera nga Banka e Vatikanit, IOR, e nga Zyra e Përgjithshme e Revizionit.
Hetimet janë kyer në bashkëpunim të ngushtë me Prokuroritë e disa qyteteve italiane, si dhe me Policinë e Krimit Ekonomik e Financiar të Guardia di Finanza të Romës, si dhe janë shtrirë në disa shtete si në Emiratet e Bashkuar, Britani e Madhe, Zvicër, Slloveni e Luksemburg.
Dosja jetimore me rreth 29 mijë faqe, 500 prej të cilave mbajnë akt akuzën, ka zbardhur një rrjet të gjerë marrëdhëniesh me punonjës e protagonistë të tregjeve financiare që kanë çuar në humbje të thellë të arkës së financës së Vatikanit.
Trupi gjykues i drejtuar nga Giuseppe Pignatone konsideron si palë të dëmtuar Sekretarin e Shtetit të Vatikanit dhe Bankën e Vatikanit, pra Institutin për veprat fetare IOR.
Nën akuzë për mashtrim, përvetësim të padrejtë, riciklim e autoriciklim janë vënë dhe katër kompani.

Kush është kardinali nën akuzën e skandalit më të madh financiar në historinë e Vatikanit?
Pas skandalit të nisur më 2019, më 24 shtator 2020, kardinali Angelo Becciu jep dorëheqjen nga funsioni i Prefekt i Kongregacionit të Çështjeve të Shenjta e nga të gjitha detyrimet si Kardinal.
Angelo Becciu më 1 dhjetor 2001 emërohet Peshkop e më 28 qershor 2018 Papa Françesku e jep titullin Kardinal.
Nga viti 2018 deri më 2020 ka mbajtur funksionin e Prefektit të Kongregacionit të Çështjeve të Shenjta në Selinë e Shenjtë.
Nga viti 2011 deri më 2017 ka mbajtur funksionin e zëvendësit për Çështjet e Përgjithshme në Sekretarinë e Shtetit.


