Kosovë- Serbi/ Nis zbatimin marrëveshja për energjinë

Kompania Elektrosever që do të bëjë furnizimin dhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës u licencua nga zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE).

Këtë e bëri të ditur ZRRE, pas votimit të bordit me pesë vota pro dhe asnjë kundër. Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS, por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Licencimi i Elektrosever në Kosovë u bë vetëm tri ditë pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila u nënshkrua në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në fakt në parim marrëveshja për energjinë ishte nënshkruar qysh në vitin 2013, por, që të fillojë të zbatohet, palët u pajtuan me 21 qershor në Bruksel.

Që nga viti 1999 pas përfundimit të luftës, qytetarët serbë të katër komunave veriore, Zveҫan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, nuk paguajnë faturat e enegjisë së shpenzuar.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-se, Ymer Fejzullahu, tha të premten se tani qytetarët e katër komunave do të faturohen me çmimet që i ofron kompania furnizuese, Elektrosever.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, që nënshkroi zbatimin e marrëveshjes në Bruksel, deklaroi se “kompania Elektrosever, nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë, qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar, ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.

Vetëm tri ditë pas dakordimit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë në veri u sulmua me një mjet shpërthyes objekti i Elektrokosmet-it në veri të Kosovës.

Sipas policisë, si pasojë e shpërthimit është dëmtuar një transformator dhe disa automjete përreth, ndërsa, lëndime në njërëz nuk pati.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla, në një reagim të tij, bëri përgjegjës “strukturat paralele serbe në veri për sulmin mbi objektin e Elektrokosmet”.

Sulmin në Mitrovicën e Veriut e dënoi edhe Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës në Kuvend, e cila u bëri thirrje organeve kompetente të hetojnë rastin dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve.