Vlorë/ Shkrumbohet fasoneria, kamerat kapin dy persona të maskuar që vendosin zjarrin
Flakët në fasonerinë rreth orës 03:20 të mëngjesit të ditës së sotme, (27 qershor 2022) në lagjen “Bashkimi”, Vlorë kanë qenë të qëllimshme.
Policia e Vlorës pas kqyrjes së kamerave të sigurisë konfirmoi se zjarri ka qënë i qëllimshëm.
Në kamerat e sigurisë janë parë dy persona të maskuar të cilët spërkasin me benzinë fasonerinë në fjalë dhe më pas i vënë flakën. Personat kanë qenë të maskuar.
Autorët kanë thyer xhamin në një prej dritareve të fasonerisë dhe brenda saj kanë hedhur lëndë djegëse.
Fasoneria e cila prodhon këpucë ka disa vite që operon në qytetin e Vlorës dhe ka punësuar rreth 500 punonjës, ndërsa si shkak kryesor i zjarrit dyshohet të jetë konkurrenca.
Mësohet se fasoneria është në pronësi të një shtetasje italiane që është identifikuar si Maria Rafa.
Policia po heton në lidhje me konfliktet për konkurencën me fasoneritë e tjera në qytet, por edhe në lidhje me konfliktet me ndonjë punonjës.