Sulm me raketa në Kiev, Zelenksy: Ata s’do mund të thyejnë shpirtin tonë! Do t’i rimarrim qytetet e humbura

Në orët e para të mëngjesit të së dielës Kievi pësoi një sulm me raketa.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Presidenti i Ukrainës Zelenski i cili tha se në 24 orët e fundit Ukraina është goditur nga 45 raketa dhe raketa ruse. Por, shtoi se "asgjë nuk ndryshon", sepse "asnjë raketë ruse, asnjë sulm nuk mund të thyejë shpirtin e ukrainasve".

President i Ukrainës Volodymyr Zelenski tha se Ukraina do të rimarrë qytetet që ka humbur, përfshirë Severodonetskun, gjatë një fjalimi me video të postuar në kanalin e tij në "Telegram".

“Okupatorët, duhej të kishin pushtuar pjesën më të madhe të vendit tonë në ditën e pestë dhe për të pestën muaj janë të detyruar të bëjnë një shfaqje të tillë raketore, e cila strategjikisht nuk ndryshon asgjë për Rusinë”, tha Zelenski.

Nga Moska, Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, tha se forcat ruse kanë kontroll të plotë të Severdonetsk dhe Borivske fqinje.

Tani ushtria e Moskës, së bashku me milicitë e Republikës së vetëshpallur të Luganskut, kanë hyrë në Lysychansk, bastioni i fundit i Ukrainës në Donbass.

Andrei Morochko, një oficer i milicive të Luganskut dhe zëdhënës ushtarak për republikën e vetëshpallur, e bëri të ditur lajmin, cituar nga Tass: "Lufta është duke u zhvilluar në zonën urbane".

Gazeta amerikane "New York Times", raporton së fundmi se forcat speciale të NATO-s dhe njerëzit e CIA-s veprojnë në territorin ukrainas.

Ndërsa Kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko deklaron se Moska po përpiqet që t’i frikësojë përpara samitit të NATO-s me sulmin me raketa kundër Kievit.