Samiti luksoz kundër varfërisë, 180 milionë euro për G7-nën në Gjermani

Miliona euro janë shpenzuar për mbarëvajtjen e samitit treditor të G7-s i cili do të mbahet në Gjermani në mes të krizës që ka kapluar globin. Samiti shihet si një mundësi e mirë për kancelarin Olaf Sholc, i cili është pritës i takimit, për të përmirësuar opinionin e gjermanëve ndaj tij. 

Të paktën 180 milionë euro janë alokuar për të garantuar sigurinë e mbajtjes së samitit të G7-s në Gjermani, i cili fillon të dielën.

Presidenca gjermane e G7-s ka zgjedhur resortin Schloss Elmau në Bavarinë jugore, në të cilat mund të dallosh malet e mbuluara me borë, livadhet e gjelbëruara dhe një panoramë mahnitëse.

Kancelari Scholz do të presë liderët e Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Japonisë, SHBA-ve dhe Kanadasë në të njëjtin vend, ku paraardhësja e tij Angela Merkel mbajti samitin e 2015 të G7-s.

Të paktën 18 000 oficerë do të angazhohen për të siguruar mbarëvajtjen e samitit treditor, si dhe një gardh sigurie 16 kilometra i gjatë është vendosur për të siguruar që asnjë demonstrues të mos shqetësojë liderët e vendeve më të industrializuara në botë.

Samiti i G7-s do të fokusohet te lufta në Ukrainë dhe pasojat ekonomike që kanë sjellë sanksionet kundër Rusisë, kryesisht në burimet energjitike.

Kancelari Scholz, si pritës i takimit do të ketë mundësinë për të unifikuar vendet anëtare të G7 dhe për të rregulluar sadopak opinionin publik të gjermanëve ndaj tij, i cili edhe sipas sondazheve ka rënë ndjeshëm

Ndihma financiare për Ukrainën do të jetë në fokusin e samitit dhe Scholz pritet që të bëjë një thirrje për mbledhjen e një konference ekspertësh të rangut të lartë.

Përmes video lidhjes në samit pritet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.

Në samitin treditor të G7-s pritet që të trajtohen edhe ndryshimet klimatike, uria dhe varfëria në botë.