Rusia dërgon armë bërthamore në Bjellorusi. Do të ndihmojë dhe në modifikimin e aeroplanëve luftarakë bjellorusë SU-25
Rusia do t’i dërgojë aleates së saj, Bjellorusisë, sisteme raketore me rreze të shkurtër, por me kapacitet bërthamor, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin.
Ai deklaroi se sistemet Iskander-M “mund të nisin raketa balistike dhe lundruese, si konvencionale, ashtu edhe të llojit bërthamor”.
Sistemet mund të përshkojnë deri 500 kilometra.
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë përshkallëzuar, që prej vendimit kur Putin vendosi të pushtoi Ukrainën më 24 shkurt të këtij viti.
Presidenti Rus ka bërë disa herë kërcënime për armët bërthamore gjatë përplasjes ushtarake që vijon tashmë prej afro 4 muajsh.
Deklaratat e tij janë interpretuar si formë presioni por edhe paralajmërim për shtetet e Perëndimit që të mos përfshihen në këtë luftë mes tij dhe Ukrainës.
Duke folur në Shën Petersburg, Putin ka thënë se Rusia do të ndihmojë në modifikimin e aeroplanëve luftarakë bjellorusë SU-25, në mënyrë që ata të mund të mbartin armë bërthamore.
Putin i ka bërë këto deklarata si përgjigje ndaj kërkesës së liderit autoritar bjellorus, Aleksandr Lukashenko I cili ruan raporte mjaft të ngushta bilaterale me Rusinë.
Raketat Iskander tashmë janë pozicionuar në Kaliningrad, një enklavë e vogël ruse mes anëtareve të NATO-s, Lituanisë dhe Polonisë.
Të dy liderët kanë diskutuar edhe vendimin e Lituanisë për të parandaluar kalimin e disa mallrave drejt Kaliningradit – një vendim ky që ka zemëruar Moskën.
Lukashenko ka thënë se vendimi i Lituanisë “ka qenë një lloj deklarate e luftës” dhe hap “i papranueshëm”.
Çeliku dhe disa mallra ruse janë të bllokuar si pasojë e sanksionebe të Bashkimit Evropian, të endosura ndaj Rusisë, pas nisjes së luftës me Ukrainën.
Nga ana tjetër Lituania deklaroi se masat që ka marrë ajo, prekin vetëm 1 përqind të transitit të mallrave ruse, duke hedhur poshtë deklaratat e Moskës për “bllokim” të Kaliningradit.