Shpërthejnë protestat në SHBA/ Për disa ditë feste, për disa dita më e tmerrshme në histori

Gjykata e Lartë e SHBA-së hoqi të premten të drejtën e abortit duke shkaktuar një tërmet që kishte 5 dekada që mblidhte energji.

Fill pas vendimit, protestat nga aktivistët, kryesisht pro-abortit shpërthyen përpara selisë së Gjykatës Supreme.

Me dhjetëra protesta u mbajtën edhe në shtete të tjera.

Presidenti Biden e quajti vendimin një gabim tragjik që rrjedh nga ideologjia ekstreme dhe tha se ishte ditë e trishtuar për gjykatën dhe vendin.

Gjykata hodhi poshtë argumentin ligjor se gratë kishin të drejtën e abortit bazuar në të drejtën kushtetuese për privatësi në lidhje me trupin e tyre.

Aktivistët jashtë dyerve të gjykatës, e quajnë vendimin ekstrem, duke qenë se shumica e gjyqtarëve janë me prirje të djathta.

"Vendimi i sotshëm ishte absolutisht i tmerrshëm dhe i hap derën minimit të mëtejshëm dhe kjo është prova e fundit e ekstremizmit në SHBA. Dhe unë besoj shumë se miliona amerikanë do të dalin në rrugë, do të shkojnë në kutitë e votimit, për të përcaktuar se kush jemi ne."

"Ajo që po shihni, ajo që njerëzit në Evropë, jashtë shtetit duhet të kuptojnë është se ne po shohim fundin e shtetit ligjor në Shtetet e Bashkuara. Kjo është ajo. Kështu e shoh unë."

Por përpara Gjykatës Supreme, kishte edhe qytetarë kundër abortit.

Për ta vendimi i së premtes ishte një ditë feste.

"Unë jam një nga ata që e festoj vendimin e Gjykatës. Rastësisht u gjenda këtu dhe e ndjeva se ishte një moment historik dhe doja të vija dhe ta shihja të ndodhte."

"Erdha sepse doja të shihja reagimet e njerëzve. Doja të festoja me njerëz të tjerë që ishin të lumtur, doja të flisja dhe të gjeja gjuhën e përbashkët me ata që nuk ishin të lumtur. Dhe thjesht mendova se nuk ishte diçka që duhet të më mungonte."