Zhulali: Ideja e Ramës për të krijuar një alternativë paralele me anëtarësimin në BE, është aventurë

Këshilltarja e Presidentit të Republikës për integrimin evropian, Ilda Zhulali ka komentuar deklaratën e Kryeministrit Edi Rama , i cili fillimisht ngriti dyshime se nuk do të marrë pjesë në samitin e BE, që do të mbahet ditën e nesërme.

Në një intervistë për Ora News, e pyetur nëse Integrimin e Shqipërisë në BE, Rama e ka zëvendësuar me Ballkanin e Hapur, Zhulali tha kjo nismë nuk ka ndonjë alternativë politike pasi fillimisht u prezantua si marrëveshje.

Ilda Zhulali: Fillimisht Rama e paraqiti “Open Balkan” si një marrëveshje ekonomike për të nxitur shkëmbime tregtare mes tre vendeve të rajonit. Më pas mesa duket nuk i shpëtoi dot së vërtetës që “Open Balkan” është shumë më shumë se marrëveshje ekonomike.

 Unë nuk di se çfarë alternative politike është kjo nismë sepse shqiptarët e kanë zgjedhur shumë qartë se rruga e tyre kalon vetëm përmes anëtarësimit në BE. Që në fillim të viteve ’90 Shqipëria ka vendosur një kurs të qartë në politikën e jashtme që do synonte anëtarësimin e NATO-së dhe në BE.

Sipas saj ideja e Ramës për të krijuar një alternativë paralele me procesin e integrimit në BE përfaqëson vetëm vullnetin e tij personal.

Ilda Zhulali: BE funksionon si një komunitet i përbashkët vlerash politike dhe që përpiqet  ta zgjerojë hapësirën politike dhe me vendet e tjera. Shqipëria ka një perspektivë anëtarësimi në BE. Ideja  e Kryeministrit Rama për të krijuar një alternativë paralele me këtë, mendoj se përfaqëson vetëm vullnetin e tij personal. Kjo është një aventurë. Është e shëmtuar kur vjen si presion ndaj BE-së.