T'i hiqet mandati Olta Xhaçkës! Këshilli i Rregullores dhe Mandateve mblidhet të premten për kërkesën e PD-së

Këshilli për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetet do të mblidhet të premten në orën 10:30 për të diskutuar kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetes për Olta Xhaçkën.

Mocioni është firmosur nga 1/10 e deputetëve opozitarë ndërsa kërkohet ti hiqet mandati si deputete e PS.

Demokratët e akuzojnë Ministren e Jashtme se bashkëshorti i saj ka përfituar para publike përmes projekteve qeveritare për investimet strategjike.

Bëhet fjalë për një kontratë të një investimi të shpallur strategjik në Himarë, ku sipas selisë blu, bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi, i cili u detyrua të dorëhiqej vite më parë si deputet për shkak se prekej nga ligji i dekriminalizimit, ka marrë rreth 10 mijë metra katrorë tokë për të investuar rreth 5 milion euro në hoteleri në Gjilekë, bashkia Himarë.

Sipas PD-së, shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes Olta Xhaçka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30-vjeçare si dhe përfiton nga iniciativa e reduktimit të TVSH-së.

"Dhënia e pasurive publike për qëllime fitimi dhe ushtrimi të veprimtarive fitimprurëse është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve kushtetuese dhe ligjore që ndalojnë deputetin dhe për efekt të ligjit dhe bashkëshortin e tij të përfitojë të përfitojë pasuri të shtetit apo të kryejë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuritë e shtetit. Ky fakt përbën shkelje të rëndë të ligjit që më pas sjell pavlefshmërinë e mandatit të deputetit", thonë demokratët, të cilët shtojnë se kjo kontratë është antikushtuese dhe prek deputeten socialiste pasi është përfituese direkte nga pasuritë publike në konflikt interesi.

Kërkesa do të shqyrtohet fillimisht në Këshillin e Mandateve dhe më pas është parlamenti që vendos për t'ju drejtuar ose jo Gjykatës Kushtetuese, si organi që do të thotë dhe fjalën e fundit për këtë çështje.

Ndërkaq socialistët vazhdojnë të kundërshtojnë me forcë hetimin parlamentar për investimet strategjike të miratuara nga qeveria, ku të hënën që lamë pas do të rrëzohej për herë të tretë në Konferencën e Kryetarëve, kërkesa e PD-së për ngritjen e Komisionit të Posaçëm.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së e quajti skandaloz këtë vendim, ndërsa Taulant Balla tha se të hetosh të gjitha kontratat dhe hapësirën e ligjit nuk është objekt i Komisionit.