Rrugët elektorale, degradon aksi “Muhamet Deliu” në Tiranë i inauguruar gjatë fushatës

Banorët në zonën e Freskut nuk po gjejnë qetësi me rrugët. Prej shumë vitesh aksi "Muhamet Deliu" ka qenë në gjendje të degraduar, por edhe pse u shtrua në periudhën e fushatës elektorale, situata vijon të mbetet e njëjtë. Prej ditësh në zonë kanë shpërthyer ujërat në rrugë, ndërsa nga Bashkia askush nuk u ka dhënë zgjidhje banorëve.

Rruga "Muhamet Deliu" e shtruar para zgjedhjeve të 25 prillit dhe e inauguruar në periudhë elektorale ka degraduar, ndërkohë që banorët nuk po gjejnë qetësi.

Këto video amatore të regjistruara nga vetë banorët, tregojnë shpërdorimin e ujit në një ditë të zakonshme.

Prej dy ditësh në këtë bllok pallatesh janë çarë tubacionet e Ujësjellës Kanalizimeve, por punonjësit e Bashkisë edhe pse janë vënë në dijeni nuk i kanë dhënë zgjidhje problemit.

Qytetarët thonë se kjo rrugë gjithmonë ka pasur të njëjtat probleme.

"E ka të përhershme kjo rrugë. Kujt t'ja lëmë fajin përveç bashkisë?"

"Abuzime këto, me kalu me çizme në lagje kur bie shi."

"U inaugurua para dy viteve. Probleme ka pasur gjithmonë, qoftë Ujësjellësi, qoftë rruga, e shikoni si është copë-copë."

Banorët e zonës apelojnë që kryebaskiaku Veliaj të shohë lagjet e jo vetëm qendrën, pasi në një ambient të tillë as fëmijët nuk kanë se ku të luajnë.

"Erion Veliaj rregullon qendrën, për ne nuk pyet fare."

"Mirë që kanë rregulluar qendrën se atje janë të gjithë intelektualë, ne këtu jemi shrtresë e varfër. Ne pensionistët jemi sot për nesër, por na vjen keq për fëmijët e djalit, nuk kanë ku të luajnë."

"Pushteti vendor duhet të punojë shumë më fort, nuk punojnë fare. Punojnë ku i intereson lali Erit."