Qeveria mohon krizën. Kuvendi “zien” nga sherret politike, harrohen qytetarët

Edhe pse qytetarët ankohen nga rritja e çmimeve dhe pagat e ulta, qeveria është e optimiste për situatën ekonomike në vend. Në ndryshim të saj, opozita ka një panoramë tjetër të realitetit, e cila i kërkon mazhorancës që ti vijë në ndihmë qytetarëve. Por debati mes tyre nga shifrat u zhvendos në akuza politike , ku demokratët drejtojnë gishtin nga Edi Rama për përfshirjen e krimit në pushtetin e tij.

Tirane- Kuvendi u përfshi në debate të forta sa i përket situatës ekonomike që po kalon vendi si pasojë e rritjes së të gjitha çmimeve në vend. Për numrin 2 të qeverisë, Arben Ahmetaj të gjithë treguesit tregojnë se ekonomia e vendit po performon shumë mirë, duke pasur parasysh që u kaluan kriza të mëdha si tërmeti, pandemia dhe pushtimi i Ukrainës.

Ahmetaj: “Sot në Shqipëri nuk ka ngadalësim të rritjes ekonomike, vazhdon të jetë galopante, nuk ka rritje të papunësinë. Të dhënat e fundit të tregut të punës të INSTAT thonë se pjesëmarrja e forcave të punës është record 72%. Papunësia e rinisë është 20%, është sërish record. Është shumë kollaj të bësh të bardhën të zezë. INSTAT thotë se papunësia ka rënë në 11.3%, është njësoj si përpara krizës së tërmetit. Sa i përket kërkesës, asnjë nga mallrat kryesore të konsumit, përveç karburantit, nuk kanë rënie, por kanë rritje nga 6-10%”.

Nisur nga këto deklarata Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku evidentoi 4 paradokset e qeverisë “Rama”,  ndërsa kërkon rishikim të buxhetit për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Tabaku: “Pune ka, nuk ka profesioniste. Profesioniste nuk ka, por Shqipëria ka rilindur. Rilindja erdhi, Shqiptaret po ikin. Shqiptaret ikin por në Shqipëri vazhdon rritja galopante!”

Debatit për krizen ekonomike u zhvendos në akuza politike mes kryeministrit Rama dhe deputetëve demokrate.

Gjatë punimeve të Parlamentit, drejtuesja e seancës Lindita Nikolla u vu në siklet nga kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetari i saj, i cili e vendosi përballë respektimit të rregullores dhe hierarkisë partiake.

Pas këtij momenti, Nikolla u përplas me Flamur Nokën, të cilit i ndërpreu fjalën pas akuzave të tij për lojëra politike mes Edi Ramës dhe Enkelejd Alibeaj.