Reforma territoriale/ Aliaj: E domosdoshme të rivlerësohet hartimi i politikave të zhvillimit në nivel lokal e rajonal

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Besnik Aliaj, ka folur për reformën territoriale, duke thënë se rihapja e kësaj teme në kushtet e sotme është e domosdoshme.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Aliaj tha se reforma në këto momente shfaq çështje madhore të cilat kanë nevojë të adresohen nga opozita, ndërsa shtoi se kjo e fundit duhet ta adresojë këtë moment.

Besnik Aliaj: Është një debat i vjetër por rihapja e saj është një domosdoshmëri në kushtet e sotme, ka të bëjë drejtpërdrejt me zhvillimin e vendit.

Ne sa herë ndjejmë nevojën që të adresojmë problemet elektorale, ndryshojmë kushtetutën dhe nuk shikojnë zbatimin e ligjit dhe e dyta është loja që është bërë me reformën për ndarjen administrative territoriale.

Për mua reforma në këto momente shfaq çështje madhore të cilat kanë nevojë të adresohen nga opozita nëse ajo do ta shfrytëzojë këtë moment, për një moment ndryshimi në raport me qytetarin dhe me zhvillimin e vendit, përfshirë dhe aspektin politik.  Së pari është përfaqësimi, së dyti është decentralizmi. Së treti pavarësia rajonale e zhvillimit. Së katërti janë investimet në territor.

Diskutimi i ri për reformën në asnjë mënyrë nuk duhet të limitohet te çështja e ndryshimit të reformës. Këto probleme nuk zgjidhen nëse nuk ndryshojmë modelin e qeverisjes dhe të përfaqësimit në nivel vendor apo rajonal.

Ai ka dhënë dhe një sugjerim për opozitën.

Besnik Aliaj: Sugjerimi im për opozitën është se duhet të fokusohet tek nevoja e rishikimit të modelit të qeverisjes dhe nevoja e rishikimit të modelit të qeverisjes dhe të përfaqësimit dhe të konsolidimit të demokracisë.

Më tej ai tha se: Është e domosdoshme që të rivlerësohet hartimi i politikave të zhvillimit në nivel lokal dhe rajonal.