Stoltenberg zemëron grekët, Turqia ka shqetësime legjitime për zgjerimin thotë kreu i NATO-s
Shefi i aleancës veriatlantike ka ndezur një furtunë të vërtetë në rrjet dhe mediet greke për shkak të deklaratës se Turqia është një aleat kyç i NATO-s dhe ka shqetësime legjitime për zgjerimin me Suedinë dhe Finlandën. Kaq ka mjaftuar që grekët të reagojnë kundër deklaratave të shefit të NATO-s. Grekët dhe Turqit kanë fërkime shumë të forta kohët e fundit, ndërsa të dyja vendet janë anëtarë të NATO-s.
Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ka zemëruar grekët me deklaratën e tij se Turqit kanë shqetësime legjitime sa i përket zgjerimit të aleancës me Suedinë dhe Finlandën. Mediet greke dhe komentues të shumtë në rrjet kanë reaguar për këtë deklaratë duke kritikuar ashpër shefin e aleancës veriatlantike.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Greqia zyrtare, por mediet greke shkruajnë shpesh për shkeljen e sovranitetit të tyre nga avionët luftarakë turq, ndërsa thonë se po përballen me ekspansionizmin dhe kërcënimet e Erdoganit.
Sipas grekëve, dita ditës, retorike e turqve shkon larg e më larg duke vënë në pikëpyetje sovranitetin grek të ishujve të mëdhenj si Kios, Lesvos dhe Samos.
Deklaratat e Stoltenbergut që shkaktuan këtë furtunë në mediet e vendit fqinj u bënë gjatë konferencës që ati pati me presidentin finlandez.
“Këto janë shqetësime legjitime. Kjo ka të bëjë me terrorizmin, ka të bëjë me eksportin e armëve,” tha Stoltenberg. Turqia është një aleat kyç për aleancën për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Detin e Zi, midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, ndërsa përmendi edhe mbështetjen që ajo i ka dhënë Ukrainës që kur Rusia dërgoi trupa ushtarake për të pushtuar fqinjin më 24 shkurt.
Suedia dhe Finlanda kanë aplikuar për t'u bashkuar me aleancën perëndimore NATO, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Por ata janë përballur me kundërshtimin e Turqisë, e cila i ka akuzuar për mbështetjen dhe strehimin e militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që ajo i konsideron terroriste.
Amerikanët kanë thënë se kjo është çështje e zgjidhshme dhe që do të marrë zgjidhje. Më herët, Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë ka miratuar një rezolutë dypartiake që mbështet Finlandën dhe Suedinë që t'i bashkohen NATO-s në mes të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Evropë.
