Itali, 3 shqiptar në pranga, kapen me 1 milionë euro kokainë dhe amfetaminë
Dy kilogramë kokainë e pastër, dy kilogramë marijuanë e katër kilogramë amfetaminë është bilanci i operacionit antidrogë ekzekutuar nga autoritetet policore italiane të Cagliarit që çoi dhe në arrestimin e 3 shtetasve shqiptarë.
Vlera e drogës së sekuestruar sipas antidrogës italiane do të sillte një fitim tregu prej rreth 1 milionë euro.
Të arrestuarit shqiptarë janë korrierët Amarildo Meta 34 vjeç pronar i një punishte elektroauto, Armand Mansaku 40 vjeç punëtor, të dy me banim në rajonin e Toskanës në komunën SANTA CROCE SULL'ARNO, në provincën e Pizës.
Të dy pa precedent penal në Itali. Shqiptari i tretë i arrestuar është Dimitri Tarantini 42 vjeç më banim në Cagliari.
Droga e trafikuar nga dy korrierët shqiptarë do të furnizonte tregjet e narkotrafikut të territorit të provincës së Cagliarit përmes ndërmjetësimit të 42-vjeçarit shqiptar, banues në këtë zonë e me precedent penal për drogë.
Droga e sekuestruar ishte magazinuar në banesën e shqiptarit Dimitri Tarantini, ku u gjet dhe një bllok listë me emra që do të shërbejnë për hetimet e mëtejshme, si dhe telefona celularë e materiale të rëndësishme në zbardhjen e bashkëpunëtorëve e linjës bashkëpunuese të këtij trafiku droge.
Në vëmendje të veçantë nga autoritetet italiane është identifikimi i kanalit të furnizimit të amfetaminave dhe kokainës.
