Pasojat dramatike të pandemisë, spitalet gjermane në nevojë urgjente për gjak, mungojnë dhuruesit
Në Gjermani dhurohet shumë pak gjak, por në spitale nevoja është e madhe. Për një furnizim të mirë të tyre do duhej të dyfishohej numri i dhuruesve të rregullt.
Në Gjermani nevojiten çdo ditë rreth 14.000 preparate gjaku për të furnizuar pacientët që kanë nevojë. Por raftet janë gati bosh në një kohë që spitalet kanë nevojë për rezerva të mjaftueshme edhe për shkak të gjendjes së pasigurtë në lidhje me virusin Corona.
Gjatë pandemisë u shtynë shumë operacione që nuk lidheshin me rrezik jete, e ato kanë filluar të zhvillohen këto muaj, duke rritur kërkesën për rezervat e gjakut në spitale.
Një zëdhënës i Shërbimit të Dhurimit të Gjakut të Kryqit të Kuq gjerman, DRK, për AFP-në ka konfirmuar sasinë e pakët, duke thënse se aktualisht rezervat kanë rënë në 30%.
Sipas tij janë një sërë faktorësh që kanë çuar në një situatë kritike, ku një prej tyre shihet periudha e udhëtimeve në verë, pra dhuruesit potencialë thjesht nuk janë prezent.
Arsyeja tjetër- pandemia. Gjatë periudhës së pandemisë dhe mbylljeve të përkohshme u kufizua shumë edhe hyrja në klinika, dhe kjo ka çuar në rënie të dhurimeve.
Rezervat e gjakut mbahen vetëm për 42 ditë, përqendrime të caktuara madje vetëm pak ditë.
Në Gjermani lejohen të dhurojnë të gjithë personat nga mosha 18-68 vjeç. Përjashtime bëhen në raste sëmundjesh të caktuara, gjatë shtatzënisë apo udhëtimeve në zona të caktuara ku ka rrezik për sëmundje si malarja. Edhe pas infektimit me Corona nuk lejohet dhurimi i gjakut për dy javë pas shërimit.
Femrat mund të dhurojnë katër herë ndërsa burrat gjashtë herë gjak në vit. Mes dy dhurimeve duhet të ketë një pushim prej tetë javësh, që trupi të kompensojë humbjen e hekurit. Me një dhurim gjaku mund t’u ndihmohet deri 6 personave.
