Berisha kërkon protesta: Rama më keq se Enver Hoxha po instalon hegjemoninë serbe

Një ditë pasi paralajmëroi protesta, Sali Berisha, ka mbledhur në selinë e Partisë Demokratike kryetarët e degëve. Qeverisjen e Ramës e krahasoi me regjimin diktatorial

Sali Berisha: "Përballë kemi Edi Ramën i cili është armiku më i rrezikshëm pas Enver Hoxhës.Kemi një rregjim monist siç ishte në vitin 1991. Pa asnjë dallim, përkundrazi edhe më monist se në 1991. Sot të gjitha pushtetet pa përjashtim çdo pushtet është në duart e Edi Ramës në duart e një njeriu. Është në duart e një partie, sot është realitet më i hidhur i Shqipërisë Partia Shtet, tipa kardinal i diktaturave. Këtu ka marrë fund kushtetuta."

Duke e konsideruar situatën të vështirë dhe shqiptarët të frikësuar kërkoi nga kryetarët e degëve përgatitjen për protesta

Sali Berisha: "Orbita e pakënaqësive dhe njerëzve të pakënaqur dhe të revoltuar është shumë e madhe. Detyra jonë është të aktivizojmë dhe ti tërheqim ata në veprimin tonë. Të bëjmë gjithçka për të vendosur bashkëpunim me ta. Të bëjmë gjithçka për të identifikuar çdo organizatë dhe grup interesi, çdo individ influent dhe çdo aleat tonin që ne do të duhemi të krijojmë me shpejtësi frontin opozitar"

Ramën e akuzoi se po bashkëpunon me Vuçiç, duke dëmtuar interesat e shqiptarëve dhe të Kosovës

Sali Berisha: "Shqiptarët sot kudo që janë detyrohen Albin Kurtit, me qëndrimin e tij mbrojtjen nga një projekt që vendos hegjemoninë e pastër serbe"

Kreu i PD ka nisur një tur takimesh në rrethe me intelektualë dhe profesionistë të fushave të ndryshme për të përgatitur një stinë protestash kundër rritjes së cmimeve të produkteve të konsumit, ku duket se as temperaturat e nxehta nuk do ta ndalin për të zbritur në sheshet e vendit.