Greqia: Ballkani në BE deri në 2033, nisni me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Greqia thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë shtetet e para që duhet të integrohen në Bashkimin Evropian dhe më pas edhe 4 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Afati për këtë sipas kryeministrit grek duhet të jetë viti 2023.

Greqia fqinje i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore që po lobojnë për perspektivën evropiane të rajonit tonë.

Ndërsa të tjerët e kanë thënë më përgjithësuese, kryeministri grek Qirjakos Micotaqis thotë se integrimi i Ballkanit Perëndimor duhet të realizohet brenda vitit 2033.

Micotaqis: Mesazhi im sot është i qartë në përputhje me kriteret e përcaktuara, le të ofrojmë integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2033, një afat kohor ambicioz por i arritshëm. Kjo është shumë e vonuar. Dhe hapi i parë duhet të jetë një vendim brenda dy javësh në Bruksel për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Komentet, i pari i qeverisë helene i bëri në një artikull në medien ndërkombëtare Politico.

Të premten nis edhe samiti i Selanikut ku do të mblidhen liderët e 13 vendeve të Evropës Juglindore, mes të cilëve edhe Shqipëria.

Në vitin 2003, sërish në Selanik, Bashkimi Evropian ofroi një vizion politik duke propozuar një proces që do të çonte në anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.

Pothuajse 20 vjet më pas, llogaridhënia e shteteve aspiruese është shtuar përmes kushteve të proceseve të anëtarësimit.