Edhe në Ballkan edhe në BE. Olaf Scholz: Këtë vit do të rijetësojmë Procesin e Berlinit
Ballkanin e Hapur nuk e përmendi, por nuk e përjashtoi si nismë rajonale për treg të përbashkët.
Kancelari Sholc nga Prishtina në pyetjet ndaj interesit të gazetarëve për Open Balkan u shpreh se ajo përmbush parimet e tranzicionet që vendet e rajonit tonë duhet të kryejnë deri sa të arrijnë në Bashkimin Evropian.
Por megjithatë, kreu i qeverisë gjermane i mbetet besnik nismës së Procesit të Berlinit të nisur nga paraardhësja e tij, Angela Merkel në vitin 2014.
"Për ne është i rëndësishëm tregu i përbashkët rajonal dhe prioritet për ne është që të arrihen gjërat e arritshme. Të gjithë ata që duan të anëtarësohen në BE e dinë se atje ekzistojnë rregullat e lirisë së lëvizjes. Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm prandaj edhe unë këtë vit zotohem të rijetësoj Procesin e Berlinit, por këtë do ta vendosin vendet e rajonit," tha ai.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kancelari gjerman e quajti të pakonceptueshme që dy vendet të hyjnë në BE pa njohur njëra-tjetrën.
Kritika pati për Serbinë edhe për mos-sanksionimin e Moskës për luftën në Ukrainë.
"Dialogu duhet të çohet përpara. Kohërat si kjo dëshmojnë se vlerat e sigurisë janë të rëndësishme. Dialogu është rruga që i hap Kosovës edhe më tej perspektivën evropiane. Marrëveshja në fund duet të përfshijë edhe njohjen reciproke, sepse është e paimagjinueshme që dy vendet të aspirojnë BE-në pa njohur njëra-tjetrën. Serbia nuk duhet të krijojë iluzione se duke mos sanksionuar Moskën do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE," tha ai.
Një lajm e kishte edhe zoti Kurti, i cili u tha medieve se pas ftesës së vendeve perëndimore për ta mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ai tha se në fund të këtij viti Prishtina do të aplikojë për statusin kandidat në Bashkimin Evropian.
