Scholz me Kurtin: Nuk mund të futen në BE dy vende që nuk njohin njëra-tjetrën

Në një konferencë të përbashkët për medie të kryeministrit Kurti dhe Kancelarit Scholz, ky i fundit u shpreh se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta zgjidhë edhe njohjen e Kosovës.

Kancelari Scholz tha se është e paimagjinueshme që dy shtete që s’e njohin njëra-tjetrën të anëtarësohen në BE.

Scholz: Përfaqësuesi i BE-së Lajçak e ka mbështetjen tonë kurse dialogu është platforma që i hap rrugën evropiane Kosovës.  Marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe njohjen e Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy shtetet që nuk e njohin njëra-tjetrën të anëtarësohen në BE. Gëzohem që po e vizitoj Kosovën si vendin e parë gjatë udhëtimit në Ballkanin Perëndimor. Fakti që po takohemi pas një muaji nga takimi në Berlin tregon se sa të ngushta janë marrëdhëniet tona biletarelale. Qeveria e Kosovës ka treguar se si partnere e besueshme qëndron me Evropën perëndimore në sanksionet ndaj Rusisë.

Ndërkohë, kancelari nuk la pa përmendur edhe çështjen e vizave, ku tha se  po angazhohet që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë.

Scholz: Krahas marrëdhënieve tona bilaterale ne kemi biseduar edhe për liberalizimin e vizave që ende po mungon. Edhe liberalizimi i vizave duhet të ndodhë dhe unë personalisht po angazhohem te partnerët e BE-së.