Erdogan paralajmëron Greqinë: Ndaloni armatosjen e ishujve, do të pendoheni si një shekull më parë

Turqia ka paralajmëruar Greqinë që të mos armatosë ishujt helenë në Detin Egje.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Greqia do të pendohet siç bëri një shekull më parë duke iu referuar luftës greko-turke pas Luftës së Parë Botërore në rajonin e Anadollit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"E paralajmërojmë Greqinë të mbledhë mendjen dhe të qëndrojë larg ëndrrave dhe veprimeve për të cilat mund të pendohet, siç bëri një shekull më parë. Ne i bëjmë thirrje Greqisë që të ndalojë armatosjen e ishujve që kanë status joushtarak dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare," tha ai.

Kreu i shtetit turk u zotua që të mos hiqte dorë nga të drejtat e Ankarasë në Detin Egje dhe nuk përjashtoi asnjë opsion për t’iu përgjigjur Athinës lidhur me armatosjen e ishujve të saj në det.

Tonet mes dy rivalëve tradicionalë janë rritur ndjeshëm sidomos pas vizitës së kryeministrit helen Qirjakos Micotaqis në Shtetet e Bashkuara ku u takua me presidentin Joe Biden, të cilit sipas disa raporteve të medieve i kërkoi të ndalonte së furnizuari Ankaranë me avionët luftarakë F-16.

Pas kësaj Erdogan i irrituar tha se nuk e njihte më Micotaqisin dhe njoftoi ndërprerjen përfundimtare të marrëdhënieve me Greqinë.