Mehmeti: Fondi i ekselences jo i orientuar, ka shumë dilema

Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti tha se Fondi i ekselencës nuk është i orjentuar siç duhet. Sipas tij është një vendim i cili ka shumë dilema. Ai tha se mund të ndikojë në demotivimin kur të diplomuarit do të dalin në tregun e punës  si dhe vuri në pahë mundësinë e tyre për tu larguar jashtë vendi.    

Ndriçim Mehmeti: Mbështetja e studentëve dhe vendimi i fundit është një vendim që unë e lexoj por nuk e kuptoj. Ka shumë dilema. Do të vazhdojë dikush gjuhësi dhe do ti jepen 320 mijë lekë në muaj. Pse do tja japësh 320 mijë lekë që kur të dalë në punë të marrë 420 mijë lekë, për çfarë do të motivohet?  Do ti japësh 320 mijë lekë se ka dalë me mesatare mbi 8.5, po po doli pas vitit të parë me mesatare 6.2 do ta paguash prapë? Po mbaroi studimet dhe iku jashtë vendit ku shkon gjithë ky investim që kemi bërë, se jemi taksapagues. Fondi i ekselencës është shumë i nevojshëm por nuk është i orjentuar siç duhet, duhen bërë studime për këtë punë. Duhet të ishte bërë biseda me qeverinë e nxënësve dhe me universitetet.  

"Në bashkëpunim me universitetet duhej të gjendej rruga për të thithur ajkën e nxënësve që në të ardhmen do të jetë pjesë e kërkimit shkencor, auditorëve, mësimëdhënise dhe model i brezave të ardhshëm", u shpreh Mehmeti gjatë një interviste për RTV ORA.