Berisha: Shqipëria në duart e krimit. Në dy muajt e fundit qeveria ka plaçkitur 300 mln euro nga shqiptarët
Sali Berisha, në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së është shprehur se Shqipëria sot është në duart e krimit.
Teksa ka komentuar vrasjen e Naimit Bajrit, mëngjesin e ditës së sotme (3 Maj), Berisha tha se krimi e policia në Shkodër janë një, ndërsa shtoi se dëshmitë e Nuredin Dumanit do të faktojnë lidhjet e bandave me nivele të larta të qeverisë.
Sali Berisha: Të dashur anëtarë të Këshillit Kombëtar. Do zgjedhim drejtuesit kryesorë, por mendoj se procedurat nuk duhet të na pengojnë asnjë minutë për të parë realitetin dramatik shqiptar, pasi sot zhvillimet në këtë vend tejkalojnë çdo lloj imagjinate. Sot Shqipëria është tërësisht në duart e krimit. Vetëm ngjarjet e javës, tregojnë se në Shkodër, krimi e policia janë 1 dhe se krimi godet në çdo skaj të këtij qyteti sikundër në çdo skaj të vendit. Dëshmitë e Dumanit, të cilat do bëhen publike, faktojnë lidhjet e bandave, në nivelet më të larta të qeverisjes së sotme. Faktojnë dominimin e tyre, mbi shtetin mafioz të kryqëzuara me të dhënat e prokurorive të vendit të Beneluksit.
Më tej Berisha tha se: Ministrat, drejtorët, prokurorët e gjykatësit e Shqipërisë, rezultojnë skllevër të krimit, ndërkohë ju e shihni se në mënyrë të papëmbajtur shqiptarët shkasin çdo ditë e më thellë në mjerim.
Berisha ka hedhur akuza edhe ndaj ‘Bordit të Transparencës” duke thënë se qeveria Edi Rama ka plaçkitur 300 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve.
Sali Berisha: Vetëm në dy muajt e fundit nëpërmjet fondeve, qeveria e Ramës ka plaçkitur 300 mln euro nga xhepat e shqiptarëve, çka ka bërë sot që mbi 300 mijë të rinjtë dhe fëmijë të jetojnë në kufijtë e varfërisë ekstreme. Gjendja në fshatrat shqiptare paraqiten katastrofike.
