Në Shqipëri rritja e çmimeve do të vijojë, fermerët po mbyllin serat, paralajmërimi i ekspertit

Gazetari dhe eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli gjatë një interviste për RTV ORA me gazetaren Besmira Palushaj tha se rritja e çmimeve do të vazhdojë. Përsa i përket Shqipërisë, Çoçoli tha se rritja e çmimeve është abuzuese është mungesë e politikave të duhura për nxitjen e prodhimit vendas.

Sipas tij fakti që një pjesë e serave janë mbyllur është shqetësim dhe kjo duhej ta bënte qeveinë që të jepte një paketë fiskale por, sipas tij të gjitha veprimet e qeverisë shkojnë në kah të kundërt me atë që duhej të bënte.

Fatos Çoçoli: Mendoj se rritja e çmimeve do të vazhdojë sepse dhe parashikimet e Bankës Botërore, raportet e saj thonë që çmimet do të jenë të larta deri në fund të vitit 2024. Çmimet do të qëndrojnë vazhdimisht në atë që quhet anormale e re e çmimeve shumë më të larta se ç'kanë qenë.  Në Shqipëri rritja e çmimeve është abuzuese është mungesë e politikave të duhura e nxitjes së prodhimit vendas. Një pjesë e serave janë duke u mbyllur sepse fermerët nuk kanë leverdi që ti punojnë. Këto janë shenja shumë shqetësuse. Këto shenja duhet ta kishin bërë syçelët qeverinë që të jepte një paketë fiskale, mbështetëse sidomos për bujqësinë. Ndërkohë që bën të kundërtën fut një taksë të re TVSH mbi lëndët e para në shitje dhe është 10%, është kosto shtesë për të gjithë fermerët. Nga ana tjetër heq rimbursimin e TVSH kur fermeri shet qumështin apo prodhimin e fushës. Të gjitha këto janë veprime që shkojnë në kah të kundërt.

Janë 55 artikuj të qumështit dhe bulmetit që janë deklaruar që nga data 6 qershor do të kenë një rritje 10-50%, shtoi ai.