BE-ja heq nga lista e re e sanksioneve kreun e Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkun Kirill
Vendet e BE-së më në fund ranë dakord për një grup të ri sanksionesh kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, pas grindjeve me Hungarinë që kërcënoi të prishte paketën.
Grupi i ri, i gjashtë i sanksioneve përfshin një ndalim të pjesshëm të importeve të naftës dhe heq bankën ruse Sberbank nga platforma ndërkombëtare e pagesave SWIFT.
Pengesa e fundit ishte udhëheqësi i Kishës Ortodokse Ruse Patriarku Kirill, të cilin Hungaria donte ta hiqte nga lista e sanksioneve. Kirill njihet si një mbështetës i zjarrtë i presidentit rus Vladimir Putin.
26 anëtarët e tjerë të BE përfundimisht ranë dakord me kërkesat e Budapestit, në një lëvizje kompromisi të arritur në një takim të ambasadorëve të BE në Luksemburg.
Diplomatët citohen të kenë thënë se Patriarku Kirill tani është hequr nga lista e personave të sanksionuar, me kërkesë të Hungarisë.
Një zëdhënës i shtypit i kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, sot tha se kundërshtimi i Hungarisë ndaj sanksioneve të mundshme të BE-së kundër Patriarkut Kirill "ka qenë i njohur për një kohë të gjatë".
