Albin Kurti i rikthehet dialogut me Serbinë. Kosova propozime për komunat serbe

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Fon Kramon tha se ka informata se Qeveria Kurti ka një propozim lidhur me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Cramon në një intervistë për mediet në Kosovë refuzoi të japë më shumë detaje, por sinjalizoi se Kabineti Kurti po rishikon qëndrimin për unifikimin e komunave me shumicë serbe, i cili pengon prej kohësh dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare mes dy vendeve.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ajo potencoi se përpara marrëveshjes finale, duhet të zbatohen marrëveshjet e mëhershme, ku përfshihet edhe marrëveshja për Asociacionin.

Për Cramon, ndryshimi i qëndrimit nga ana e Qeverisë së Kosovës është çështje e arritjes së kompromisve, duke shtuar se kundërshtimi i Asociacionit nga Kosova s’ka qenë gjë e mençur.

Komentet e deputetes gjermane, vijnë disa orë pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se duhej një kompromis për çështjen e Kosovës dhe unifikimi i komunave serbe mund të ishte fillimi i gjetjes së një marrëveshjeje mes dy vendeve.

Themelimi i Asociacionit është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Por Gjykata Kushtetuese me një vendim të vitit 2015 nxori në dukje se disa parime të asociacionit nuk janë në pajtim me Kushtetutën e vendit.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviç dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.