Izraeli nënshkruan marrëveshjen historike tregtare me Emiratet e Bashkuara Arabe

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan të martën një marrëveshje të tregtisë së lirë produkti i fundit i marrëveshjes historike të normalizimit të dy vendeve në vitin 2020, e njohur si Marrëveshja e Abrahamit.

Me një objektiv të deklaruar për rritjen e tregtisë vjetore dypalëshe në më shumë se 10 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, marrëveshja tregtare është më e madhja ndonjëherë midis Izraelit dhe çdo vendi arab. Ajo mbulon 96% të tregtisë mes dy vendeve të Lindjes së Mesme, e cila vitin e kaluar arriti në 885 milionë dollarë, sipas ministrit të ekonomisë së Izraelit.

Për të ilustruar shpejtësinë dhe shtrirjen e madhe të tregtisë midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit që ka ndodhur që nga vendosja e marrëdhënieve zyrtare në gusht të vitit 2020, kjo shifër dypalëshe është më shumë se dyfishi i vëllimit të tregtisë së Izraelit me Egjiptin në 2021, që ishte 330 milionë dollarë.

Ministrja e Ekonomisë dhe Industrisë e Izraelit Orna Barbivai dhe homologu i saj, Ministri i Ekonomisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdulla bin Touq Al Marri, nënshkruan marrëveshjen në Dubai pas muajsh negociatash.

Nënshkrimi hapi “një kapitull të ri në historinë e Lindjes së Mesme”, shkroi në Twitter Ministri i Tregtisë së Emirateve Thani Al Zeyoudi. “Marrëveshja jonë do të përshpejtojë rritjen, do të krijojë vende pune dhe do të çojë në një epokë të re paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti në të gjithë rajonin.”/CNBC/