I helmoi pjatën me makarona e salmon, 30 vite burg të riut që akuzohet se vrau njerkun

Gjykata e Apelit e Bolonjës dënoi me 30 vjet 20-vjeçarin Alessandro Leon Asoli, i akuzuar për vrasjen e njerkut të tij duke i helmuar pjatën me pene e salmon me nitrat natriumi. 

Ngjarja ndodhi më 15 prill 2021. Loreno Grimandi, 57 vjeç vdiq sapo konsumoi pjatën e helmuar ndërsa i riu akuzohet dhe  për tentativë të vrasjes në të njëjtën mënyrë, të nënës Monica Marchioni.

Vendimi u dha pas 12 orëve në dhomën e këshillimit. Prokurorja kishte kërkuar burg përjetë por gjykata e dënoi me 30 vite burg.

Gjithashtu gjykata caktoi tre vjet burg me kusht në përfundim të dënimit dhe vendosi kompensim prej 500 mijë euro për nënën e viktimës dhe 750 mijë euro kompensim për nënën e të akuzuarit.

I riu nuk ishte në gjykatë, ndërsa i ati biologjik beson në pafajësinë e djalit të tij.