Britania premton paqe në rajonin tonë nga ndikimi rus, 100 milionë dollarë për Ballkanin Perëndimor deri në 2025
Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss ka vënë në dijeni institucionet e Bosnje Hercegovinës se Mbretëria e Bashkuar do të jetë udhëheqësja për ruajtjen e balancave në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa gjendet për një vizitë zyrtare në Sarajevë, kryediplomatja britanike është zotuar që të kundërshtojë ndikimin e Rusisë në rajonin tonë.
"Britania e Madhe do të angazhohet për të ruajtur paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që krimet si rrethimi i Sarajevës dhe gjenocidi i Srebrenicës të mos ndodhnin më kurrë. Ne do të kundërshtojmë ndikimin e Rusisë në rajon dhe do të ofrojmë një paketë prej 100 milionë dollarësh deri në 2025 për të mbështetur financiarisht rajonin. Ndërhyrja ruse në punët e brendshme të Bosnjës është e qartë dhe ajo duhet të ndalet," tha ajo.
Më herët gjatë këtij viti, qeveria e Boris Johnson sanksionoi anëtarin serb të presidencës boshnjake, Millorad Dodik për minim të institucioneve demokratike të vendit, me të ashtuquajturën Republika Srpska, pas tentativave për ndarjen e saj nga pjesa tjetër e vendit.
Truss e bëri të qartë të enjten se sanksione të tilla do të vazhdojnë.
Ajo tha se ekzistonte padyshim një rrezik i përhapjes së konfliktit në Ukrainë në rajon dhe se situata u përshkallëzua nga bllokada brenda Bosnjës, si dhe nga planet e shkëputjes së Republika Srpskas.
