Lufta në Ukrainë, Putinit i kërkohet të zhvillojë 'negociata të drejtpërdrejta dhe serioze' me Zelenskyn
Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë i kanë kërkuar Vladimir Putinit të Rusisë që të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta dhe serioze me presidentin e Ukrainës, tha zyra e kancelarit gjerman.
Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz folën me Putinin me telefon për 80 minuta.
Dyshja "këmbëngulën për një armëpushim të menjëhershëm dhe një tërheqje të trupave ruse", tha zyra e kancelares.
Udhëheqësi rus tha se Moska ishte e hapur për rifillimin e dialogut me Kievin, sipas Kremlinit.
Ai nuk përmendi mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta midis Putinit dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas tha më herët se ai nuk ishte "i etur" për bisedime, por shtoi se ato ka të ngjarë të jenë të nevojshme për t'i dhënë fund konfliktit.
Delegacionet ruse dhe ukrainase kanë mbajtur raunde të shumta bisedimesh nga distanca dhe personalisht që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, por përpjekjet kanë ngecur së fundmi.
Franca dhe Gjermania i kërkuan gjithashtu zotit Putin të lirojë 2500 luftëtarë ukrainas të marrë si robër lufte në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.
Fabrika u bë streha e fundit në qytetin port jugor, i cili duroi bombardimet e pamëshirshme nga forcat ruse dhe tani shtrihet në gërmadha.
Në fillim të këtij muaji, zyrtarët e Moskës thanë se luftëtarët e fundit që mbronin fabrikën ishin dorëzuar, ndërsa presidenti Zelensky tha se atyre u ishte dhënë leja për t'u larguar.
Rusia ka thënë më parë se më shumë se 900 luftëtarë u transferuan në një koloni burgu të rihapur në Olenivka, një fshat në Donetskun e pushtuar nga Rusia. Një numër më i vogël me plagë të rënda u dërguan në një spital në qytetin e Novoazovsk, gjithashtu në Donetsk.
Ukraina shpreson se ata do të lirohen si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve,por Rusia nuk e ka konfirmuar këtë. Disa ligjvënës rusë argumentojnë se luftëtarët duhet të gjykohen apo edhe të ekzekutohen.
