A duhet të ndahemi nga Maqedonia e Veriut? Gjebrea: BE do të ndihmojë për ta zgjidhur këtë ngërç
Ish deputetja e Partisë Socialiste Elona Gjebrea gjatë një interviste për ORA TV me gazetaren Besmira Pelushaj tha se duhet lexuar mirë rezoluta e BE për Shqipërinë në mënyrë që të shikohet se çfarë përparimi është bërë dhe çfarë duhet të bëhet. Gjithashtu foli dhe për mundësinë e ndarjes me Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE ku tha se beson se këtë ngërq do ta zgjidhë BE.
Elona Gjebrea: "Shtyllat kryesore që Bashkimi Europian ka në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të bëjnë kryesisht me fushën e krimit të organizuar, fushën e reformës zgjedhore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut kryesisht pakicave minoritare, përmirësimin e Administratës Publike. Mendoj që duhet të ulemi dhe ta lexojmë mirë rezoluten dhe të shikojmë se çfarë përparimi është bërë dhe çfarë duhet të bëhet në Shqipëri."
Gazetarja: "E mbështesni idenë për tu ndarë nga Maqedonia e Veriut në qoftë se vetoja bullgare do të vazhdojë që ta penalizojë këtë vend në mënyrë që procesi ynë të mos zvarritet në kohë?"
Elona Gjebrea: " Dhe kryeministri e ka përmendur se do të kërkojmë ndarje në rast se do të vazhdojë të ngulmohet përsa i përket vetos bullgare. Besoj se do të shkohet drejt ndarjes për sa kohë ky bllokim do të vazhdojë."
Gazetarja: "A është e drejtë që duam ndarje në këtë moment, sepse Maqedonia e Veriut na ka pritur në një farë mënyre në gjithë kushtet që ne plotësuam hap pas hapi?"
Elona Gjebrea: "Pyetje e vështirë kjo në rast se flasim për një solidaritet, flasim dhe për përgjegjësi që kanë liderat përsa i përket popujve që përfaqësojnë dhe qeverisë që përfaqësojnë dhe të drejtës që kanë qeveritë përkatëse të ngulmojnë për të drejtat për anëtarësim sa më shpejtë në BE. Dhe BE besoj se do të ndihmojë për ta zgjidhur këtë ngërç."

