E shkuara tërheq të huajt, “Kullat e Sahatit” ekspozohen në Apoloni në ditën e Muzeve
Parku Arkeologjik Kombëtar i Apolonisë hapi dyert për të gjithë në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.
Një mundësi për tu njohur me historinë dhe gjetjet arkeologjike në qytetin më të rëndësishëm pas Durrësit në pellgun e Adriatikut dhe më të njohurin mes 30 qendrave urbane ndërtuar gjatë antikitetit në nder të vetë Perëndisë Diell.
Ata që e shfrytëzuan kryesisht ishin turistët e huaj, për të cilët kryeqendrat antike janë gjithmonë në krye të listës së vendeve për tu vizituar.
"Kjo ditë e hapur e muzeve është një ide e mirë pasi promovon kulturën dhe pasurinë e trashgimisë jo vetëm për turistët e huaj, por edhe tek vetë shqiptarët. Unë besoj se do të rikthehem sërish".
Veç qytetit antik, patën mundësinë që të njihen edhe me “Kullat e Sahatit në trojet Shqiptare”, të skicuara dhe përmbledhura në një monografi nga arkeologu skicograf Dritan Çoku.
"Janë një hulumtim, një kërkim dhe dokumentim i kullave të sahatit në trojet shqiptare, në 52 qytete të tilla".
Në vendin tonë kanë qenë ndërtuar kulla sahati në njëzet e një qytete.
Dhjetë prej tyre janë ngritur në rrënojat e kullave të vjetra të kalave, katër në pazare, katër pranë xhamive kryesore dhe tre në zona të tjera të qyteteve.
Sot vetëm 11 janë ende në këmbë dhe një rrënojë.

