Si është vlerësuar Ronela Hajati nga mediat italiane? MATERIAL GIRL, Beyonce e Cardi B
Shqipëria ka qenë e para që ka performuar në skenën e Eurovision Contest Song 2022.
Këngëtarja shqiptare Ronela Hajati, me këngën e saj "Sekret" ka hapur edicionin e 66 të Festivalit Europian të muzikës, që po zhvillohet në qytetin e Torinos dhe para një publiku prej mbi 200 milionë telespektatorësh nga e gjithë bota.
Ashtu siç ndodh gjithmonë pas çdo eventi të rëndësishëm artistik, mediat më të rëndësishme italiane kanë bërë një vlerësim me nota për çdo këngë e këngëtar në skenë, si dhe ndaj këngëtares shqiptare.
E përditshmja italiane "Corriere della Sera" e ka vlerësuar këngëtaren shqiptare me notën 4 nën komentin.

"Regeton e folklor ballkanik. Video në Youtube është një fantazi mesjetare si "Game of the Thrones", që rrëfen historinë e një dashurie sekrete, tradhëti, seks e gjak. Një zë i fuqishëm e jo gjithmonë siç duhet. Ronela me duar në pjesët intime, foto që Eurovision i ka censuruar në rrjetet sociale (a do ketë parë Michael Jackson e Madona) e megjithatë e bëri në skenë", ka shkruar ajo.

Ndërsa gazeta italiane "La Repubblica" ka qenë më zemërgjerë me këngëtaren shqiptare duke i vënë notën 6 e nën komentin:

"Dance e Ballkan, seks e vallëzim, koreografi e fuqishme. Pse jo? 6".
Agjensia italiane e lajmeve "AGI" është shprehur pozitivisht për performancën e Shqipërisë.
Kjo media i ka dhënë këngëtares shqiptare vlerësimin me notën 7 duke shkruar se "ishte një performancë e fortë me tinguj Bollywood e sjellë dhunshëm në tingujt ultra pop. Këngë e kënduar në anglisht, shqip e spanjisht. E meritonte gjysmë finalen e trupa e baletit në stil e performancë i ngjante shumë këngëtarit italian Mahmood".
Po me notën 7 Ronela Hajati është vlerësuar nga gazeta italiane "Il Giorno" që e krahason me Madonnën në këngën Material girl, por pak më e bëshme.

"Zë ka, forma po ashtu, spektakli është i garantuar sidomos kur nxjerr në pah bishtin e kalit (flokët)",shkruan ajo.
Kritika jo të mira kanë ardhur për këngëtaren shqiptare gjatë transmetimit live nga komentatori zyrtar i televizionit publik italian "Rai", për këtë event. Kritiku i muzikës, Cristiano Magioglio, për telespektatorët italianë, veshjen skenike të Ronela Hajatit e ka komentuar me këshillën:
"Të ftoj të ndryshosh stilist", apo nëse do isha në vendin tënd "do të denoncoja stilistin".
Edhe shtypi i shkruar italian në faqet e kulturës e spektaklit i ka dedikuar sot hapësirë, natës së parë të Festivalit Europian e duke u ndalur tek Shqipëria "Corriere della Sera" shkruan:

"E para që u ngjit në skenë qe Ronela Hajati, e cila bëri të flas për vete më shumë për sulmet "e turpshme" body shaming, se sa për këngën e saj, fort e shëmtuar".
Ndërsa "La Repubblica" shkruan:
"Ndërsa në skenë performon e para këngëtarja shqiptare me këngën Sekret, pyesim se kujt kërkon t'i ngjaj Beyonce o Cardi B"?
