Rusia 'lumë' non-gratash për amerikanët, ndalohet hyrja për Biden, Harris, Blinken e Zuckerberg

Rusia ka bërë armiq për jetë presidentin Biden, zëvendësen e tij Kamala Harris, sekretarin Blinken dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë, duke iu ndaluar atyre hyrjen në shtetin rus. Në listën e zezë janë edhe CEO i Facebook dhe aktori hollivudian Morgan Friman.

Rusia po përdor të vetmen armë diplomatike që i ka mbetur kundër perëndimit.

Përmes një vendimi të Ministrisë së Jashtme ruse është urdhëruar ndalimi i hyrjes në Rusi i të paktën 936 zyrtarëve e udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara, por jo vetëm.

Rusia ka shpallur non-grata presidentin Joe Biden e po kështu zëvendësen e tij, nënpresidenten Kamala Harris.

Në listën e zezë të zyrtarëve amerikanë gjenden edhe sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Pas ndalimit të platformës META, e cila përfshin rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, këtë herë Moska ka vendosur urdhër-ndalimi për CEO-n e kësaj platforme, Mark Zuckerberg.

E sa u përket medieve, është sanksionuar edhe presidenti i Radio Evropës së Lirë, e cila është një organizatë që financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në listën e zezë është përfshirë edhe aktori hollivuadin Morgan Freeman, si pasojë e një videklipi në 2017, ku akuzonte qeverinë ruse për ndërhyrje në demokracinë amerikane.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë në një deklaratë se vendimi ka qenë përgjigje ndaj “sanksioneve anti-ruse” dhe synojnë të kufizojnë SHBA-në.

Në dokument është thënë se Moska mbetet e hapur për dialog të sinqertë dhe ka bërë dallim mes popullit amerikan dhe autoriteteve, të cilat i kanë cilësuar si rusofobë.