Pampuri: Presidenti nuk mund të shndërrohet në një mollë sherri
Deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri gjatë një interviste për Ora News me gazetarin Everest Dedaj foli mbi procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ajo tha se maxhoranca, e cila sipas saj është ilegjitime, nuk mund të pretendojë ti marrë të gjitha pushtetet.
Orjola Pampuri: "Ne kemi një kushtetutë, patjetër që i shërben unitetit kombëtar por jemi në demokraci dhe demokracia ka balancimin e pushteteve. Kemi një maxhorancë e cila është ilegjitime faktikisht, sepse nga raporti i OSBE ODIHR deri te të gjitha denoncimet tonë për tjetërsim vote, për blerje vote tashmë janë të vërtetuara. Kemi një maxhorancë ilegjitime e cila nuk mund të pretendojë ti marrë të gjitha pushtetet dhe nuk mund të pretendojë tashmë të marri edhe presidentin. Një maxhorancë e cila ka shtrirë tentakulat nga Presidenti i Federatës deri tek Presidenti i Shqipërisë kjo është skandaloze pastaj. Kjo nuk mund të pranohet."
Ajo tha se është momenti për të folur me argumenta dhe se nuk duhet të shndërrohet çështja e presidentit në një mollë sherri mes palëve.
Orjola Pampuri: "Sot është momenti që të flasim me argumenta. Sot është momenti që ta zgjidhim, ti japim një zgjidhje kësaj situate. Dhe presidenti të bëhet në një formë apo në një tjetër për të patur një konsensus mes palëve. Nuk mundet presidenti të shndërrohet në një mollë sherri mes palëve dhe të vijohet sherri. Nuk ka kohë për akuza për shpifje, ti lëmë sepse është koha e presidentit."
