Berlini me sytë nga "Ballkani i Hapur", ja mesazhi që iu përcoll Ramës gjatë vizitës së djeshme

“Ballkani I Hapur” ka qenë temë diskutimi edhe gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së djeshme në Berlin.

E pranoi vetë kryeministri Edi Rama madje përcolli dhe mesazhin që kishte marrë nga Berlini zyrtar.

Edi Rama: “Isha dje në Berlin dhe kemi pasur takime me të gjitha partitë në Bundestag, edhe me ministren e jashtme dhe miti që është krijuar se Gjermania është kundër Ballkanit të Hapur është ushqim për konsum lokal. Gjermania nuk është kundër Ballkanit të Hapur por kërkon që të jetë gjithëpërfshirës. Ballkani i Hapur do vazhdojë. Ne jemi të hapur për të gjitha vendet që të vijnë të ulen e të punojmë”

Madje edhe me presidentin e KiE “Ballkani I Hapur” ka qenë temë diskutimi dhe u soll shembulli i Beneluksit.

Edi Rama: “Nisi me më pak vende sesa u përfshinë. Synon jetësimin e të gjitha parimeve të lirisë së BE-së, të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapiteleve e shërbimeve dhe kërkon të ecë më shpejt për të garantuar zbatimin e atyre që kemi dakordësuar në procesin e Berlinit. Procesin e Berlinit nuk mund ta implementojnë as kancelaria gjermane, as presidenca franceze as BE në Bruksel por qeveritë këtu"

Rama përsëriti se "Ballkani i Hapur" është i hapur për të gjitha vendet "që të ulemi e të punojmë për ata gjëra që biem dakord"

Edi Rama: "Nuk arrihet tek paqja përfundimtare duke mos u ballafaquar në tavolinë për ta filluar nga gjërat më të thjeshta që mund të zgjidhen kollaj. Nuk mund të mbahen njerëzit pengje të lëvizjes se duhet të arrijmë paqen përfundimtare. E kundërta është e vërtetë"

Deklarata u bë sot në konferencën e përbashkët për shtyp mes presidentit të KiE dhe kryeministrit Edi Rama në Tiranë. Presidenti i KiE, Charles Michel ndodhet në Tiranë për vizitë zyrtare.