Valë arrestimesh nga spanjollët, skuadra e ekspertëve në Tiranë për lokalizimin e 80 shqiptarëve
Policia spanjolle me një skuadër të posaçme ka zbarkuar në Shqipëri për lokalizimin e rreth 80 të kërkuarve nga drejtësia. Gledis Nano në një deklaratë të përbashkët me homologët spanjollë bëri të ditur arrestimin e 7 personave, ndërsa tani nis zbatimi i marrëveshjes së ekstradimit.
Brenda 48 orësh në Shqiperi janë arrestuar 7 të kërkuar nga Spanja per krime. Një pjesë e këtyre personave strehoheshin me identitete të rreme.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit në një konferencë shtypi me autoritetet spanjolle bëri të ditur se Shqipëria është e vendosur të zbatojë marrëveshjen e ekstradimit.
"Rritja e forcave të policisë është vënë re në operacionet e përfshira. Këtij qëllimi i shërben dhe marrëveshja e ekstradimit. Vlen të përmendim faktin që Policia e Shtetit ka bërë një punë paraprake dhe me hyrjen e marrëveshjes ka filluar operacioni dhe deri më tani janë arrestuar shtatë shtetas shqiptarë. Qëllimi është të ekstradohen drejt Spanjës".
Për llogari të drejtësisë spanjolle janë arrestuar dhe biznesmeni Nikolin Janina si edhe drejtori i Ujësjellësit në Kurbin Alfred Prodani.
Atashehu i Ministrisë së Brendshme spanjolle, Juan Pablo Iglesias Bellido, tha se dy vendet po bëjnë një hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
“Shqipëria tregon vendosmërinë e saj absolute për të mos qenë strehë për kriminelët, gjë që konsiderohet nga komuniteti ndërkombëtar si një shenjë e padiskutueshme e përpjekjes së saj të vazhdueshme për të avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në shtetin e së drejtës.”
Spanja ka sjellë në vendin tonë skuadrën e saj të ekspertëve për lokalizimin e rreth 80 shqiptarëve që janë në kërkim për trafik droge dhe anëtarë të rrjeteve të tjera kriminale.
Marrëveshja e ekstradimit Shqipëri-Spanjë u firmos më 16 mars dhe synon t’i japë një goditje rrjeteve kriminale me veprimtari në Spanjë.

