Sot afati i fundit për një emër, raundi i parë për zgjedhjen e presidentit drejt dështimit

Duket se dita e nesërme, 16 maj, ku shënohet edhe raund i parë për zgjedhjen e presidentit të vendit, do të dështojë pa një emër kandidati.

Afati për dërgimin dhe propozimin e një emri kandidati përfundon sot në orën 16:00, ndërkohë që asnjëra nga palët nuk kanë ardhur me një emër konkret.

Mazhoranca deri më tani nuk ka propozuar emra pavarësisht përfoljes në publik të figurave të caktuara, ndërsa opozita duket se është e fokusuar më shumë te kushtet sesa emri.

Po ashtu, opozita në tërësi duket se ka një mosdakordësi për pjesëmarrjen në proces ku Rithemelimi akoma nuk është bërë palë e këtyre negociatave për kreun e shtetit.

Më herët kreu i Grupit parlamentar i PS-së Taulant Balla u shpreh se mazhoranca është për një president konsensual, por duhen respektuar afatet.

Ndërkohë që Shpëtim Idrizi dhe Fatmir Mediu thanë se procesi duhet të përfshijë të gjithë spektrin opozitar.

Por, Enkelejd Alibeaj nga PD nuk është ulur në këtë tryezë duke theksuar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë nëse nuk merret për bazë drafti i tij me kriteret për zgjedhjen e presidentit të ri.