Kievi, negociata për evakuimin e 60 personave (mjekë dhe të plagosur rëndë) nga Azovstal

Negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës janë fokusuar aktualisht në evakuimin e 60 personave, të plagosurit rëndë dhe mjekët, nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol.

Kështu deklaroi zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk, cituar nga Kyiv Independent.

“Rusia nuk pranon një evakuim total”, shtoi zëvendëskryeministrja.

Sipas gazetës, rreth një mijë ushtarë ukrainas ndodhen brenda fabrikës së çelikut.

Qëllimi i qeverisë së Kievit mbetet nxjerrja e të gjithë ushtarëve ukrainas nga uzina e çelikut në mënyrë të sigurt, por qasja ndaj një marrëveshjeje duhet të jetë "e matur dhe pragmatike dhe rezultati mund të mos i kënaqë të gjithë" tha Vereshchuk, duke nënvizuar se në uzinë nuk ka vetëm milici të regjimentit Azov, por edhe anëtarë të departamenteve të tjera të forcave të armatosura dhe policisë.

Presidenti Volodymyr Zelensky u shpreh se çlirimi gradual nga forcat pushtuese ruse të rajonit të Kharkiv-it ukrainas dëshmon se Ukraina "nuk do të lërë askënd në duart e armikut".

"Natyrisht, shtoi ai, ne kujtojmë çdo qytet dhe komunitet që janë ende nën okupim: Kherson, Melitopol, Berdiansk, Energodar, Mariupol dhe qytetet e Donbass".

Për lirimin e fabrikës së çelikut Azovstal "po zhvillohen negociata shumë komplekse", tha ai.

"Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të evakuuar secilin prej mbrojtësve tanë”.

Ndërkohë, kryepeshkopi i madh i Kievit, mons. Sviatoslav Shevchuk raportoi se "në një varr masiv ata zbuluan së fundmi rreth 500 njerëz me duar të lidhura dhe me një plumb në kokë.

"Do të thotë se ata janë vrarë në mënyrë mizore, në të njëjtën mënyrë si në kohën e Stalinit ata vranë njerëz të pafajshëm duke i hedhur në varre masive”.