Rusia kërcënon Finlandën dhe Suedinë për anëtarësimin në NATO
Rusia ka paralajmëruar se planet e Finlandës dhe Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n do të çojnë në "militarizimin" e rajonit dhe se Moska do të përgjigjet nëse aleanca vendos armë bërthamore pranë kufijve të saj.
Zëvendësministri i Jashtëm Alexander Grushko është shprehur se Rusia e di se NATO dëshiron të "militarizojë gjithçka që mundet", citon agjencia e lajmeve Interfax.
Ndërkohë një tjetër gazetë ruse, RIA, e citoi atë të thoshte se zgjerimi i propozuar i NATO-s do të shkaktonte një "reagim politik" nga Rusia, bazuar jo në emocione, por në një analizë të plotë të situatës.
Reagimet nga Moska kanë qenë të ashpra sa i përket anëtarësimit të dy vendeve të reja në NATO, pasi Ministria e Jashtme ruse ka përmendur edhe “hapa hakmarrës”, pa sqaruar se çfarë nënkuptojnë ato.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse nënvizohet fakti se anëtarësimi i dy vendeve të reja do të dëmtojë seriozisht marrëdhëniet bilaterale, sigurinë dhe stabilitetin në veri të Evropës.
“Rusia do të detyrohet të marrë hapa hakmarrës, si në aspektin tekniko-ushtarak, por edhe të natyrave tjera, në mënyrë që të neutralizojë kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare”, thuhet më tej në reagim.
Zëvendës-përfaqësuesi i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polvansky, ka shkuar më tej kur ka thënë se Suedia dhe Finlanda do të mund të bëhen shënjestra të mundshme për Rusinë, nëse bëhen anëtare të NATO-s.
Anëtarësimi i mundshëm i Finlandës dhe Suedisë në aleancë, është kundërshtuar edhe nga Turqia, ndërsa pas deklaratave të presidentit Erdogan, ka reaguar edhe kreu i shtëpisë së bardhë Joe Biden. Në një telefonatë me liderët e dy vendeve, presidenti amerikan ka mbështetur hapur aspiratat e tyre për tu anëtarësuar në aleancën veriatlantike duke e cilësuar këtë hap si një kontribut për sigurinë.
