G7: Nuk do t'i njohim kurrë kufijtë e vendosur me forcë nga Rusia
"G7 nuk do t'i njohë kurrë kufijtë që Rusia përpiqet të ndryshojë me forcë".
Kështu thuhet në komunikatën përfundimtare të takimit në Weissenhaus të Gjermanisë, të ministrave të jashtëm, të cilët duan të prezantojnë sanksione të mëtejshme që synojnë sektorët nga të cilët "varet" Moska. G7 gjithashtu i kërkon Kinës që të mos cënojë sanksionet kundër Rusisë.
Për Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, "Moska ka nisur qëllimisht një luftë gruri, dërgesat nuk janë të mundshme dhe çmimet po rriten, me rrezikun e urisë. Nuk është dëm kolateral, është një strategji e qëllimshme".
Rusia, tha Baerbock në konferencën përmbyllëse për shtyp të G7, "po krijon bazën për kriza të reja në mënyrë që bashkëpunimi ndërkombëtar të mund të kufizohet".
Baerbock shtoi se G7 mbështet futjen e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.
“Dua të jem e qartë, NATO nuk ka bërë presion mbi Suedinë dhe Finlandën, janë ato që kanë kërkuar të anëtarësohen në Aleancë dhe ne i mbështesim”, tha Baerbock.
