G7 e unifikuar përballë Rusisë, frikë për përshkallëzimin e luftës drejt Moldavisë
Ministrat e Jashtëm të shtatë vendeve më të industrializuara të botës u mblodhën në Gjermani për të diskutuar mbi ndikimin gjeopolitik dhe ekonomik të luftës në Ukrainë. Një temë që ata sollën në vëmendje është edhe rreziku i përshkallëzimit të luftës në Moldavi.
Ministrat e Jashtëm të G7-ës u mblodhën në Gjermani për të diskutuar për situatën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në shkallë globale.
Të gjithë thanë njëzëri se uniteti është jetik gjatë kësaj krize për rendin ndërkombëtar që ka sjellë lufta në Ukrainë.
Takimi vjetor i kryediplomatëve të shtatë vendeve më të industrializuara në botë ngriti edhe shqetësimin se lufta në Ukrainë mund të përhapet në Moldavinë fqinje dhe se bllokimi i eksporteve të grurit mund të shkaktojë një krizë ushqimore në vendet në zhvillim.
I pranishëm, ministri i Jashtëm ukrainas Kuleba, kërkoi që të paratë e konfiskuara ndaj oligarkëve rusë t’i jepen Ukrainës për rindeërtimin e saj.
Kostoja e luftës i ka kaluar tashmë 94 miliardë dollarë dëme të drejtpërdrejta në infrastrukturën civile dhe ushtarake në Ukrainë teksa vlerësohen me qindra miliarda dollarë të tjera dëme në ekonominë e vendit.
Zyrtarët amerikanë, evropianë dhe ukrainas kanë theksuar nevojën për një "Plani Marshall për Ukrainën" për të rindërtuar vendin.
Bashkimi Evropian nërkohë ka njoftuar një paketë prej 500 milionë eurosh të tjera për Ukrainën për të blerë armë të rënda në luftën e saj kundër Rusisë.
Diplomatët e BE-së kanë planifikuar gjithashtu të zhvillojnë bisedime të hënën mbi një embargo të mundshme ndaj naftës ruse.
Hungaria ka rezistuar deri më tani ndaj kësaj mase, për shkak të varësisë së saj të madhe nga importet ruse, por kryediplomati i BE-së Borrell shprehu optimizëm se do të kishte një marrëveshje.
SHBA-të përfaqësohen në këtë takim nga nënsekretarja e Shtetit Victoria Nuland teksa Antony Blinken është prekur nga Covid-19.
